Për të studiuar në një universitet ose kolegj, duhet të plotësoni kushte të përgjithshme dhe specifike pranimi për kursin apo programin ku keni aplikuar.

Kushtet e përgjithshme të pranimit

Të gjitha kurset dhe programet kanë kushte të caktuara bazë. Nëse keni kualifikim parapërgatitor të shkollës së mesme për arsim të lartë (gymnasieexamen) nga një shkollë e mesme suedeze (gymnasium) ose nga një program arsimimi komunal për persona të rritur, ju plotësoni kushtet e përgjithshme të pranimit për studime të larta në Suedi. Edhe ata studentë me kualifikim profesional nga një shkollë e mesme suedeze ose program i arsimit për të rritur me nota kaluese (A-E) në suedisht ose me suedishten si gjuhë të dytë 2 + 3 dhe anglisht 6 plotësojnë kushtet e përgjithshme të pranimit për studime të larta. Nëse ju mungon kualifikimi në suedisht ose anglisht, duhet të studioni që t'i kaloni këto kurse.  

Nëse keni kryer shkollën e mesme në një vend tjetër dhe ky kualifikim ju jep të drejtën për studime të larta në vendin tuaj, ka shumë mundësi që të keni të drejtën e studimit në Suedi me kusht që të plotëson kushtet për suedishten, anglishten dhe matematikën.

Mund të fitoni gjithashtu të drejtën e përgjithshme përmes së ashtuquajturës "reell kompetens", ose mësimit paraprak. Më shumë informacion rreth vlerësimit të mësimit paraprak mund të gjeni në uebsajtin e secilit institucion.

Kushtet specifike të pranimit

Për shumicën e kurseve, studentëve u kërkohet që të demonstrojnë njohuri paraprake shtesë. Kjo quhet e drejta specifike e zgjedhjes. Një shembull për këtë mund të ishte një program inxhinierie, ku studenti duhet të ketë kryer me sukses një kurs matematike të nivelit të lartë dhe kurse të tjera të shkencave natyrore. Kurse dhe programe të tjera të caktuara, për shembull në disiplinat artistike, mund të kërkojnë një portofol krijimesh ose një provim të veçantë pranimi.

Po nëse nuk i plotësoj kushtet?

Nëse nuk i plotësoni kushtet e përgjithshme apo specifike të pranimit, ekzistojnë mënyra për t'i arritur këto kushte. Mund të gjeni më shumë informacion pranë shkollave të mesme, zyrave komunale të arsimit për persona të rritur dhe pranë shkollave të mesme popullore. Mund të merrni gjithashtu ndihmë edhe nga një konsulent. Vizitoni uebsajtet folkhogskola.nu dhe studera.nu ose uebsajtin e komunës suaj për më shumë informacion.

Testi Shkollor Suedez i Aftësive

Nëse plotësoni kushtet e pranimit, mund të rrisni shanset e pranimit duke dhënë Testin Shkollor Suedez të Aftësive. Ky test i standardizuar ndahet në tetë pjesë dhe përmban 160 pyetje me alternativa. Të gjitha fushat me përjashtim të leximit dhe kuptimit të anglishtes janë në suedisht, prandaj kërkohet një njohuri e mirë e gjuhës suedeze. Fushat që testohen janë: matematika, krahasimet sasiore, diagramet, tabelat dhe hartat, mjaftueshmëria e të dhënave, leximi dhe kuptimi i anglishtes, leximi dhe kuptimi i suedishtes, leksiku i suedishtes dhe plotësimi i fjalive.

Testi zhvillohet dy herë në vit dhe mund ta jepni sa herë të dëshironi. Rezultatet janë të vlefshme për 5 vjet. Mund të aplikoni dhe të konkurroni për vendet e lira në kurse dhe programe bazuar në notat dhe rezultatet e testit të aftësive, prandaj nuk humbisni asgjë nëse e bëni këtë test.

Më shumë informacion rreth testit (në suedisht), përfshirë dokumentet e aplikimit, mund të gjeni në uebsajtin www.hogskoleprov.nu.

Për informacion në anglisht rreth testit, ju lutemi vizitoni uebsajtin studera.nu.

Page last updated 2015-09-30