Arsimi i lartë në Suedi është falas për qytetarët e vendeve të BE-së / Zonës Ekonomike Evropiane ose Zvicrës. Edhe personat me leje qëndrimi në Suedi për arsye të tjera veç studimeve nuk paguajnë pagesa shkollore. Studimet e doktoraturës janë falas për këdo.

Si student, gjithsesi do t'ju nevojiten të holla për shpenzimet e jetesës, të tilla si ushqimi, akomodimi dhe literatura e kurseve, etj. Mënyra më e zakonshme se si studentët mbështeten gjatë studimeve është të aplikojnë për asistencë studentore nga Bordi Kombëtar i Asistencës Studentore (Centrala studiestödsnämnden, CSN). Asistenca studentore përbëhet nga grante studentore të cilat nuk është e nevojshme që të shlyhen, si dhe një hua studentore që duhet të paguhet më vonë. Ju mund të zgjidhni të aplikoni vetëm për grantin nëse keni financime të tjera. Mund të merrni gjithashtu asistencë edhe për studimet me kohë të pjesshme.

Asistenca studentore për studime universitare është e disponueshme për një maksimum prej 240 javësh. Ju mund të merrni asistencë studentore deri sa të mbushni 56 vjeç, por e drejta për të huazuar të holla bie gradualisht që nga dita kur arrin moshën 47 vjeçare.

E drejta për asistencë studentore nuk ndikohet nga shuma e të hollave që keni në bankë apo se sa fiton familja juaj. Megjithatë, ekziston një limit në lidhje me shumën që mund të fitoni vetë gjatë një viti kalendarik gjatë kohës që studioni, përpara se kjo të ketë ndikim në shumën e asistencës studentore që mund të merrni. Nuk është nevoja të jepni ndonjë lloj garancie për huanë, por duhet të fitoni një numër të caktuar kreditesh çdo semestër që të mund të vazhdoni të merrni asistencë studentore.

Aplikohen rregulla të veçanta nëse nuk jeni qytetar suedez. Më shumë informacion mund të gjeni në uebsajtin e CSN www.csn.se.

Shlyerja e huasë

Huanë tuaj studentore nuk është e nevojshme të filloni ta shlyeni deri gjashtë muaj pas marrjes së asistencës së fundit studentore. Shuma që shlyeni në vit varet nga shuma e parave që keni marrë hua, norma e interesit dhe mosha juaj. Më shumë informacion rreth shlyerjes disponohet në uebsajtin e CSN.

Bursat dhe asistenca e strehimit

Në Suedi, nuk ka shumë bursa për të cilat mund të aplikojnë studentët e arsimit të lartë, dhe ato që ekzistojnë shpesh nuk mjaftojnë për të përballuar jetesën. Kryesisht, studentët në Suedi marrin asistencë studentore në vend të bursës. Bibliotekat publike kanë më shumë informacion rreth aplikimit për bursa. Më shumë informacion mund të gjendet në uebsajtin studera.nu.

Studentët të cilëve u kërkohet të paguajnë pagesa shkollimi në Suedi mund të aplikojnë për bursa përmes Institutit Suedez, dhe universiteteve e kolegjeve. Më shumë informacion mund të gjendet në uebsajtin Studyinsweden.se.

Nëse jeni prind i moshës 18 deri 28 vjeç dhe keni të ardhura të ulëta, mund të aplikoni për asistencë strehimi. Ju mund të zbuloni më shumë në uebsajtin e Zyrës së Sigurimeve Shoqërore Suedeze www.forsakringskassan.se.

Puna gjatë studimeve

Është e rëndësishme që të kini parasysh se studimet kërkojnë kohën e tyre. Studimet me kohë të plotë shpesh kërkojnë po aq kohë sa një punë me orar të plotë, pra 40 orë në javë. Disa studentë punojnë me kohë të pjesshme gjatë studimeve, megjithatë kur nuk jeni në leksione shumicën e kohës duhet ta shpenzoni duke studiuar vetëm ose së bashku me studentët e tjerë.

Kostoja e jetesës

Buxheti i mëposhtëm për studentët meshkuj dhe femra është hartuar nga Agjencia Suedeze e Konsumatorëve (Konsumentverket). Këto janë thjesht përllogaritje, secili ka mundësinë që të kursejë në fusha të ndryshme, për shembull te ushqimi. Vini re se kostot janë normalisht më të larta në qytete të mëdha si Stokholmi apo Goteborgu, dhe më të ulëta në zona më të thella të Suedisë.

Përllogaritjet janë mujore dhe në korona suedeze (SEK).

  Meshkuj Femra
Ushqim 2380 1790
Higjienë personale 380 510
Veshje dhe këpucë 590 600
Kohë e lirë 620 620
Telefon celular 230 230
Furnizime të tilla si letra higjienike, etj. 100 100
Media, përfshirë internetin dhe licencën e
televizorit
600 600
Sigurim shtëpie 90 90
Qira 3500 3500
Energji elektrike 250 250
Tekste shkollore dhe literaturë tjetër 750  750
Transport publik 510 510
Totali 10 000 9550
Page last updated 2015-09-30