Arsimi juaj universitar do të jetë i përbërë nga njësi mësimore të quajtura kurse. Në Suedi mund të zgjidhni të ndiqni kurse individuale dhe t'i kombinoni ato vetë në një titull, ose mund të zgjidhni një program studimor ku universiteti ka vendosur paraprakisht se cilat kurse përfshihen. Të gjitha programet e studimit çojnë në marrjen e një titulli, ndërsa nëse zgjidhni kurse individuale, duhet të zgjidhni ato të duhurat për t'i kombinuar në një titull.

Kur pranoheni në një program studimi, ju garantohet një vend në të gjitha kurset e përfshira. Nëse studioni kurse individuale të zgjedhura vetë, duhet të aplikoni dhe të pranoheni në secilin kurs individual gjatë studimeve tuaja. Prandaj, nëse kombinoni kurse për të ndjekur një titull pa qenë pjesë e një programi, nuk ka asnjë garanci se do të keni një vend të lirë në secilin kurs.

Ju mund të studioni me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme. Nëse nuk mundeni ose nuk dëshironi të transferoheni në një qytet me universitet apo kolegj, mund të zgjidhni mësimin në distancë. Kjo do të thotë se mund të studioni në shtëpi apo në një qendër mësimdhënieje në komunën tuaj. Qendrat e mësimdhënies kanë studentë dhe këshillues karriere që mund t'ju japin këshillë dhe mbështetje. Disa kurse në distancë kërkojnë që ju të zhvilloni disa takime në universitet, ndërsa të tjera jo. Ju mund të kërkoni për kurse në distancë me ose pa takime të detyrueshme në uebsajtet e pranimit Antagning.se dhe Universityadmissions.se ose mund të krahasoni kurse të ndryshme në distancë në studera.nu duke përdorur “Jämför utbildning”. Ky shërbim ofrohet vetëm në suedisht.

Vlerësimi i kursit dhe kreditet

Të gjitha kurset dhe programet e arsimit të lartë ju japin një numër kreditesh studimi. Një semestër studimesh me kohë të plotë ju jep 30 kredite dhe një vit i plotë akademik ju jep 60 kredite. Programet shpesh janë trevjeçare (180 kredite) në nivelin Bachelor dhe një ose dyvjeçare (60 ose 120 kredite) në nivelin Master.

Për të vlerësuar punën dhe progresin e një studenti, zhvillohen provime nga instruktori i kursit. Provimet mund të jenë provime me kohë dhe me shkrim, provime në shtëpi, ose provime me gojë. Studentëve u kërkohet gjithashtu të përgatisin dhe të paraqesin detyra individuale dhe në grup. Gjithashtu kërkesa të shpeshta të kurseve të ndryshme janë punët e laboratorit, puna në grup dhe detyrat akademike.

Studentët vlerësohen bazuar në rezultatet e punës së tyre. Ju keni të drejtën të përsëritni provimet, por jo më shumë se 5 herë. Në disa raste, studentët mund të apelojnë notën e marrë në një provim. Më shumë informacion rreth provimeve dhe vlerësimit mund të gjendet në uebsajtin studera.nu.

Llojet e titujve

Pas përfundimit të studimeve, mund të kërkoni t'ju jepet një titull nga universiteti ose kolegji ku keni studiuar. Ka tre lloje titujsh që mund të jepen: të përgjithshëm, artistikë dhe profesionalë.

Ekzistojnë dy lloje titujsh të përgjithshëm në nivelin e ciklit të parë studentor: Diploma Universitare (2 vjeçare) dhe Titulli Bachelor (3 vjeçar). Gjithashtu, ekzistojnë dy lloje titujsh të nivelit të ciklit të dytë studentor: Titulli Master (1 vjeçar) dhe Titulli Master (2 vjeçar).

Programet që ofrojnë kualifikim për një profesion të caktuar përfundojnë me një titull profesional. Shembuj të këtyre programeve janë infermieria, inxhinieria dhe psikologjia.

Page last updated 2015-09-30