Suedia ka rreth 50 institucione të arsimit të lartë, nga Kiruna në veri e deri në Malmö në jug. Shumica prej tyre janë publike, që do të thotë se zotërohen nga shteti. Ekzistojnë gjithashtu rreth dhjetë subjekte që ofrojnë programe të pavarura (private) të cilat lejohen të japin tituj në lëndë të ndryshme. Universitetet dhe kolegjet e marrin lejen për të dhënë tituj për programet e tyre të studimit nga një agjenci qeveritare suedeze e quajtur Autoriteti Suedez i Arsimit të Lartë. Kjo agjenci i inspekton rregullisht institucionet e arsimit të lartë dhe programet e tyre për të siguruar cilësinë. Vetëm programet që kanë kaluar inspektimin lejohen të japin tituj.

Mund të keni vënë re se kjo broshurë përdor termat universitet dhe kolegj (högskolan). Suedia ka si universitete ashtu edhe kolegje të cilat nuk ndryshojnë nga njëra-tjetra në lidhje me cilësinë. Ndryshimi është se universitetet mund t'u ofrojnë gjithmonë studime pasuniversitare (PhD) studentëve që kanë marrë titullin e tyre të parë, ndërsa kolegjet jo. Megjithatë, disa kolegje janë të pajisur me leje që u lejojnë të ofrojnë tituj pasuniversitarë brenda fushave të caktuara të studimit. Termi "institucion i arsimit të lartë" (HEI) u referohet si universiteteve ashtu edhe kolegjeve.

Në këtë broshurë, ndonjëherë përdorim termin universitete kur u referohemi universiteteve dhe kolegjeve së bashku, ju lutemi vini re se të njëjtat rregullore aplikohen për të dyja.

Një pyetje që bëjnë shpesh studentët e ardhshëm është se cili universitet apo kolegj është më i miri. Është e pamundur që t'i jepet një përgjigje kësaj pyetjeje sepse varet se çfarë mendoni ju se është më e rëndësishme. Gjërat që duhen shqyrtuar përveç programeve të ofruara janë sa i madh është universiteti, vendi ku ndodhet, atmosfera dhe faktorë të tjerë që ju i konsideroni të rëndësishëm.

Një numër universitetesh dhe kolegjesh specializohen në lloje të caktuara arsimimi, të tilla si disiplinat artistike apo subjektet e inxhinierisë. Të tjerë ofrojnë programe në shumë fusha të ndryshme. Kini parasysh se cilësia e arsimit vlerësohet rregullisht nga Autoriteti Suedez i Arsimit të Lartë.

Ka gjithashtu edhe kompani të arsimit privat që veprojnë në Suedi. Shpesh këto vetëquhen universitete dhe kolegje, por nuk plotësojnë ndonjë standard akademik. Shpesh në to duhen paguar pagesa shkollimi. Informacioni në këtë broshurë nuk u referohet këtyre institucioneve. Përveç kësaj, nuk do të gjeni informacion rreth këtyre kompanive private të arsimit në uebsajtet studera.nu, Antagning.se ose Universityadmissions.se.

Page last updated 2015-09-30